Është diçka që me shumë gjasa e keni bërë qindra herë – por sipas kompanive të ujësjellësit, nuk duhet të hidhni kurrë qumësht në lavaman.
Nuk është ndjenjë e mirë kur po planifikoni të hani drithëra në mëngjes, hapni shishen dhe ndjeni menjëherë erën e thartë – dhe kuptoni se duhet ta derdhni qumështin.
Por sipas Scottish Water, ju nuk duhet kurrsesi ta derdhin qumështin e prishur në lavaman, sepse ai shkakton probleme si për tubacionet e shtëpisë, ashtu edhe për mjedisin.
“Hedhja e qumështit në lavaman është një ‘jo’ e madhe. Yndyrnat dhe proteinat në qumësht mund të ngurtësohen dhe të ngjiten pas mureve të tubave, duke shkaktuar bllokime. Këto bllokime mund të shkaktojnë kthim të ujërave të ndotura, aroma të pakëndshme dhe nevojë për riparime të kushtueshme hidraulike. Për më tepër, kur qumështi futet në sistemin e kanalizimeve, ai mund të ulë nivelin e oksigjenit në ujë, duke dëmtuar jetën ujore”, thanë ekspertët nga Scottish Water.
Në vend të kësaj, ata këshillojnë që njerëzit të hedhin qumështin e prishur në kopsht – ose duke e hedhur në kompost, ose duke e përzier me ujë dhe duke e përdorur për të ujitur bimët. Përndryshe, thjesht hidheni në mbeturina.
Kompania shton:
“Nëse keni një kosh komposti, mund të shtoni sasi të vogla qumështi të vjetër në të. Qumështi është i biodegradueshëm dhe mund të sigurojë lëndë ushqyese të vlefshme për kompostin. Vetëm sigurohuni që ta përzieni mirë me materiale të tjera për të shmangur erërat e pakëndshme”.
“Qumështi i holluar mund të përdoret si pleh natyral për kopshtin tuaj. Përzieni një pjesë qumësht me katër pjesë ujë dhe hidheni rreth rrënjëve të bimëve. Lëndët ushqyese në qumësht mund t’i ndihmojnë bimët të rriten të forta dhe të shëndetshme”.