Arsyeja e vërtetë pse rrobat të duken të lagështa në dimër, edhe kur janë tërësisht të thata

Arsyeja e vërtetë pse rrobat të duken të lagështa në dimër, edhe kur janë tërësisht të thata

Me ardhjen e motit më të ftohtë dhe me erë e shi në horizont, tharja e rrobave jashtë është bërë pothuajse e pamundur, përveç nëse arrin të gjesh disa orë me diell mes ditëve të zymta.

Kjo do të thotë se shumica prej nesh do të detyrohemi të përdorim tharëse rrobash për t’i tharë rrobat brenda. Këto janë mjete efektive që të lejojnë të shtrish rrobat dhe t’i lësh të thahen në një dhomë të ajrosur – por ka vetëm një problem me to.


Nëse ke përdorur ndonjëherë një tharëse rrobash, e njeh ndjesinë kur vendos dorën mbi rroba në mbrëmje dhe i ndjen ende të lagështa. Prandaj i lë të thahen gjatë natës dhe në mëngjes, përsëri të duken të lagështa.

Në fakt, mund t’i lësh rrobat në tharëse për disa ditë dhe prapë të mos ndihen plotësisht të thata.

Por rezulton se problemi nuk qëndron te tharësja apo te rrobat. Rrobat e tua në fakt nuk janë të lagështa fare – por truri yt mendon se janë, për shkak të temperaturës së ulët të pëlhurës.

Sipas një eksperti në TikTok, ekziston një fenomen i çuditshëm që do të thotë se truri ynë nuk është në gjendje të përpunojë se çfarë është ndjesia e “lagështisë”, ndaj ne mendojmë se diçka është e lagësht kur në të vërtetë është thjesht e ftohtë.

Michael McBride shpjegoi:

“Njerëzit nuk mund ta ndiejnë lagështinë. Ne nuk kemi atë që quhen higroreceptorë. Disa kafshë i kanë – si mizat e frutave, bletët dhe madje edhe buburrecat mund të zbulojnë praninë e ujit – por ne fizikisht nuk mundemi.

Ne mund të dallojmë ndryshimet e temperaturës, sepse uji zakonisht ndihet më i ftohtë; mund të ndiejmë ndryshime në presion, si kur e zhyt dorën në ujë dhe ndjen presionin që ushtrohet mbi të; dhe mund të ndiejmë ndryshime në fërkim, si kur një lëng rrëshqet më lehtë mbi lëkurë – por ne nuk mund të ndiejmë ujin vetë”.

Michael shtoi gjithashtu se kjo është edhe arsyeja pse njerëzit shpesh dehidratohen në ambiente shumë të thata. Djersa e tyre thahet aq shpejt në këto kushte, sa që termoreceptorët nuk arrijnë të dallojnë sa shumë po djersijnë.

Ai shtoi: “Mos u ndiej keq nëse nuk je në gjendje të kuptosh nëse rrobat janë të lagështa apo të ftohta, sepse trupat dhe trutë tanë nuk janë ndërtuar për ta dalluar këtë gjë”.