Juventusi ka refuzuar disa interesime nga klubet e Ligë Premier për mesfushorin Khephren Thuram, duke e bërë të qartë se 24-vjeçari nuk është në shitje.
Sipas mediave italiane, si Arsenal, Chelsea ashtu edhe Liverpool kanë provuar të testojnë gatishmërinë e bardhezinjve për të negociuar gjatë gjashtë muajve të fundit, por klubi torinez i ka kthyer mbrapsht të gjitha ofertat.
Në Torino, Thuram shihet si një pjesë kyçe e projektit të ri së bashku me yllin e ri Kenan Yildiz. Të dy lojtarët janë cilësuar nga drejtuesit si “të paprekshëm” dhe pjesë themelore e rindërtimit të skuadrës.
Që nga transferimi nga OGC Nice në verën e vitit 2024, mesfushori ka impresionuar me paraqitjet e tij dhe ka fituar vend edhe në përfaqësuesen e Francës të drejtuar nga Didier Deschamps.
Khephren Thuram
Drejtori i ri sportiv i Juventusit, Damien Comolli, raportohet se u ka bërë të qartë klubeve të interesuara që “të heqin dorë”, duke theksuar vendosmërinë e klubit për të mbajtur yjet e vet.
Arsenal dhe Liverpool kishin eksploruar mundësinë e një oferte gjatë verës, por qëndrimi i fortë i Juventusit ka ndërprerë çdo negociatë.
Thuram mbetet i lidhur me “Zonjën e Vjetër” deri në vitin 2029, pas një sezoni të suksesshëm ku ndihmoi klubin të sigurojë një vend në top katër të Serie A./Telegrafi/