Arrestohet një person për krime lufte, dyshohet për pjesëmarrje në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Gjilan

Arrestohet një person për krime lufte, dyshohet për pjesëmarrje në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Gjilan

Prokuroria Speciale ka arrestuar D.N për krime lufte kundër popullatës civile në kohën e luftës në Kosovë.

D.N, sipas njoftimit të Prokurorisë, është arrestuar në pikëkalimin kufitar te Dheu i Bardhë në kufi me Serbinë.


Sipas njoftimit të PSRK-së, D.N dyshohet ai ka kryer krime lufte në Kosovë nga 13 prilli deri më 30 prill 1999.

Veprimet inkriminuese, sipas PSRK-së, janë marrë në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake Serbe, ku kanë marrë pjesë në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Komunën e Gjilanit.

PSRK ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të paraqesin kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit.

“I dyshuari D.N., është arrestuar në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, në kufi me Serbinë. D.N., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën nga 13 prilli deri më 30 prill 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Komunën e Gjilanit. Brenda afatit të paraparë ligjor, Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale më 15.09.2025.

Gjykimet për krimet e luftës në Kosovë

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në këtë link.