Forcat belge të sigurisë arrestuan mbrëmjen e djeshme një të dyshuar jashtë Ambasadës Izraelite në Bruksel, njofton Ministria e Jashtme izraelite përmes një postimi në X.
Sipas raportimit, i dyshuari mbante me vete një koktej molotovi, ndërsa nuk janë dhënë detaje të mëtejshme për qëllimet e tij. Ministria theksoi se i gjithë stafi i ambasadës është i sigurt.
Ky incident vjen pas një serie ngjarjesh të ngjashme në Evropë. Në korrik, policia e Kopenhagenit po shqyrtonte një paketë të dyshimtë të dërguar në Ambasadën Izraelite në Danimarkë.
Në shkurt, një tjetër i dyshuar u arrestua në Berlin, i dyshuar për planifikim të një sulmi “të motivuar politikisht” ndaj ambasadës izraelite atje. Prokurorët gjermanë ngritën akuza për terrorizëm në gusht, duke shtuar se i dyshuari kishte synuar të bashkohej me grupin ekstremist Shteti Islamik (ISIS) në Pakistan.
Nuk është e qartë nëse i dyshuari i arrestuar në Belgjikë kishte planifikuar një sulm të ngjashëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!