Arrestohet në Bërnjak i dyshuari për falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje në grup kriminal

news image

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet V.E., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal”.

I dyshuari u arrestua të shtunën mbrëma në pikën kufitare të Bërnjakut, në kuadër të hetimeve të zgjeruara lidhur me rastin e janarit 2025, kur autoritetet kishin zbuluar një laborator të specializuar për falsifikim dokumentesh.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar se, nga një periudhë e pacaktuar deri më 24 janar 2025, V.E., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal që ka prodhuar dhe shpërndarë dokumente të falsifikuara të rreth 50 shteteve të ndryshme.

Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Hetimet vazhdojnë në koordinim mes Prokurorisë Speciale dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit dhe identifikimit të personave të tjerë të përfshirë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/