Arrestohet edhe një person tjetër në Bërnjak për falsifikim të dokumenteve ndërkombëtare

Arrestohet edhe një person tjetër në Bërnjak për falsifikim të dokumenteve ndërkombëtare

Të shtunën në mbrëmje është arrestuar edhe një person tjetër në Bërnjak, si i dyshuar për përfshirjen me disa të dyshuar të tjerë në një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patente shoferësh, i cili u gjet në janar të këtij viti në një shtëpi në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, personi me inicialet V.E. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal”.

“I dyshuari V.E. është arrestuar të shtunën në mbrëmje në pikën kufitare në Bërnjak, në kuadër të hetimeve të zgjeruara lidhur me rastin e muajit janar të këtij viti, kur autoritetet zbuluan një laborator të specializuar për falsifikim të dokumenteve,” thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se, nga një periudhë e pacaktuar kohore e deri më 24 janar të vitit 2025, V.E., në bashkëpunim me të dyshuar të tjerë, duke vepruar si grup i organizuar, kanë prodhuar dhe shpërndarë dokumente të falsifikuara të rreth 50 shteteve të botës,” thuhet në njoftim.

Policia kishte njoftuar se në janar kishte ndaluar të dyshuarin me inicialet F.K., dhe më pas në maj të dyshuarin tjetër me inicialet Sh.E. për të njëjtin rast.

Për këtë rast, Policia e Kosovës ka qenë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Europol-in. /Klankosova.tv

Policia zbulon një laborator të sofistikuar në Prishtinë për falsifikimin e dokumenteve

Intervistohet dhe dërgohet në mbajtje edhe një i dyshuar për falsifikim ndërkombëtar

The post Arrestohet edhe një person tjetër në Bërnjak për falsifikim të dokumenteve ndërkombëtare appeared first on Klan Kosova.