Sunday, January 11, 2026
spot_img
HomeLajmeArrestohet 28-vjeçari për ngacmim seksual ndaj një të miture në Drenas

Arrestohet 28-vjeçari për ngacmim seksual ndaj një të miture në Drenas

Një rast tronditës i ngacmimit seksual ndaj një të miture është raportuar pasditen e djeshme në territorin e Drenasit, ku Policia ka arrestuar një person të dyshuar, pas veprimeve të shpejta hetimore.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari është V. E., rreth 29-vjeçar, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur, të lindur më 2009.

Sipas informacioneve, rreth orës 17:40, Policia ka pranuar raportimin për një rast “Ngacmimi” që kishte ndodhur në fshatin Baicë – Gllogoc. Njësia e hetimeve ka reaguar menjëherë dhe ka intervistuar viktimën në stacion policor, në prani të Qendrës për Punë Sociale (QPS).

E mitura ka deklaruar se derisa ishte duke u kthyer në shtëpi, në rrugën “Gryka e Ramadanëve”, ishte rrëzuar dhe më pas ishte prekur në pjesë intime të trupit nga një person i panjohur. Ajo ka pranuar trajtim mjekësor në QKMF-Drenas.

Pas hetimeve fillestare, Policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin, ndërsa gjatë fazës fillestare ai ka pranuar verbalisht kryerjen e veprës.

Sinjali mëson se Policia ka siguruar edhe video-incizime, në të cilat i dyshuari shihet duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, familjarët e tij kanë dorëzuar dokumentacion mjekësor, për ta mbështetur lirimin e tij.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurorja kujdestare, e cila ka urdhëruar që rasti të inicohet si “Ngacmim seksual”, ndërsa i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë.

Hetimet po vazhdojnë.
Gazeta Sinjali do të raportojë ekskluzivisht për çdo zhvillim të ri nga ky rast i rëndë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT