E enjte, 12 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmeArrestohen tre persona, dyshohet se mashtruan 10 gra që ishin pjesëmarrëse në...

Arrestohen tre persona, dyshohet se mashtruan 10 gra që ishin pjesëmarrëse në luftërat e Sirisë dhe Irakut

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion në kuadër të hetimeve financiare dhe ka arrestuar tre persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit. Hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve Financiare-DHKEK, më 10 qershor 2025, kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit me iniciale (R.D.), ku ai është arrestuar për mashtrim, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Në lidhje me rastin, Policia ka kërkuar dy të dyshuar të tjerë, të cilët fillimisht nuk janë gjetur, por më vonë janë paraqitur vetë në zyrat e policisë.

Të dyshuarit janë akuzuar për mashtrim të dhjetë viktimave, të gjitha gra ish-pjesëmarrëse në luftërat e Sirisë dhe Irakut, të cilave u është premtuar një donacion për integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.

Viktimat janë bindur të aplikojnë për donacione në një institucion mikrofinanciar në Prishtinë, ku u janë prezantuar si mundësi marrja e donacioneve. Megjithatë, në realitet, ato kanë nënshkruar kontrata për kredi me vlerë nga 4,500 deri në 5,000 euro.

Dy të dyshuarit, (R.D.) dhe (V.G.), kanë organizuar dhe realizuar këtë mashtrim, ndërsa i dyshuari tjetër, (A.H.), ka aprovuar kredinë si menaxher i institucionit mikrofinanciar.

Pas tërheqjes së mjeteve nga llogaritë bankare të viktimave, i dyshuari (R.D.) ka shkuar me viktimat në banka, duke tërhequr paratë dhe më pas duke u dhënë atyre nga 500 euro secilës, ndërsa pjesën tjetër të parave e ka mbajtur për vete.

Viktimat e kanë kuptuar mashtrimin kur institucionin mikrofinanciar i ka kërkuar fillimin e pagesave të kredive.

Deri më tani, janë intervistuar 10 viktima dhe vlera e dëmit llogaritet të jetë rreth 45,000 euro.

Dy nga të dyshuarit, (R.D.) dhe (V.G.), janë ndaluar me vendim të prokurorit të lëndës dhe janë vënë në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari i tretë, (A.H.), është liruar në procedurë të rregullt.

Të gjitha veprimet janë kryer nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila ka koordinuar hetimet dhe do të marrë vendimet e mëtejshme në përputhje me ligjin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT