Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për prerje ilegale të drunjve në Parkun Kombëtar “Sharri”, në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2025”, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të policisë, sot rreth orës 08:10, njësitet policore të stacionit në Kaçanik kanë vërejtur një automjet të tipit Nissan, pa targa dhe të modifikuar, të drejtuar nga i dyshuari F.V., 31 vjeçar. Ndërkohë, i dyshuari tjetër, K.V., 34 vjeçar, kishte arritur në vendngjarje me një motoçikletë 4×4.
Të dy të dyshuarit kishin filluar prerjen e drurëve në vendin e quajtur “Llageri”, duke përdorur dy motor-sharra. Policia ka reaguar menjëherë, por ata nuk janë ndalur në vendngjarje dhe janë larguar drejt një drejtimi të panjohur.
Në vendngjarje kanë mbetur prova të mjaftueshme, përfshirë: automjetin Nissan të ngarkuar me dru, një motor-sharrë dhe një telefon, të cilat janë konfiskuar nga policia. Veprimet janë zhvilluar në koordinim me prokurorin kujdestar.
Rreth orës 15:00, të dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit, ata janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!