Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka kërkuar nga mekanizmat e pavarur monitorues lokalë e ndërkombëtarë që të vizitojnë ish-zyrtarin policor, Arbnor Spahiu, i cili u arrestua nga autoritetet serbe më 7 qershor 2025.
Në një komunikatë, QKRMT thekson se Arbnor Spahiu u arrestua në pikën kufitare të Horgoshit ndërsa udhëtonte nga Gjermania, me akuzën për përfshirje në rastin “Banjska”. Kjo akuzë ka ngjallur shqetësim, pasi, sipas QKRMT-së, Spahiu kishte dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës shumë kohë para ngjarjeve të “Banjska”-s dhe kishte vendosur të jetonte në Gjermani.
“Ish-zyrtari policor Arbnor Spahiu, deri sa po udhëtonte nga Gjermania më 07.06.2025, është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Horgosh, me akuzë për përfshirjen në rastin ‘Banjska’, përkundër që i njëjti shumë kohë para rastit ‘Banjska’ kishte dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës për të vazhduar jetën në Gjermani,” thuhet në komunikatën e QKRMT-së.
QKRMT ka shprehur shqetësimin e saj për mungesën e informacionit rreth trajtimit dhe statusit të ish-zyrtarit policor dhe ka kërkuar që mekanizmat monitorues, të cilët kanë mandatin për të monitoruar trajtimin e personave të privuar nga liria, të ndërhyjnë për të siguruar respektimin e të drejtave të tij.
“Andaj, me qëllim të parandalimit të torturës dhe çfarëdo forme të keqtrajtimit ndaj tij, përkatësisht marrjes së informacioneve të sakta rreth ndalimit dhe trajtimit të tij, QKRMT i është drejtuar me kërkesë zyrtare mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë që të interesohen për gjendjen dhe trajtimin e tij,” thuhet më tej në komunikatë.
QKRMT ka kërkuar gjithashtu nga Komiteti i Helsinkit në Serbi që të angazhohet për monitorimin e rastit dhe ka njoftuar se i është drejtuar edhe Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese, një mekanizëm ndërkombëtar përgjegjës për monitorimin e kushteve në burgje dhe ambiente të tjera ku njerëzit mund të mbahen në privim të lirisë.
“QKRMT mbetet me shpresë që këta mekanizma do ta vizitojnë ish-zyrtarin policor të ndaluar në Serbi dhe do të njoftohemi zyrtarisht për statusin dhe gjendjen e tij,” thuhet në përfundim të komunikatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!