Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku, u dërguan sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Betimi për Drejtësi.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e arrestit shtëpiak ndaj kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesit të detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku.
Këtë për Klankosova.tv e bëri të ditur Arianit Koci, avokati i Nikçit.
“Gjykata nuk e ka miratuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit, por të arrestit shtëpia”.
“Brenda afateve të duhura ligjore unë do të bëjë ankesë”, ka thënë Koci
Arresti shtëpiak për Nikçik dhe Shalakun është deri në 30 ditë.
Të dy u ndaluan të enjten me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Nikçi dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “Përdorim i paautorizuar i pasurisë”.
Ndërsa Shalaku dyshohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.
Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj dy të dysharve.
“…të cilët me Urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, janë ndalur për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se, i dyshuari Hekuran Nikçi i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës nga neni 218 të KPRK-së dhe Përdorimi i paautorizuar të pasurisë nga neni 420 të KPRK-së, ndërsa i dyshuari Naim Shalaku, për shkak të dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi nga neni 218 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
The post Arrest shtëpiak ndaj kryeinspektorit Hekuran Nikçi dhe Naim Shalakut appeared first on Klan Kosova.