Pavarësisht që nuk dinë për humbje ose barazim, trajneri Arne Slot i ka kërkuar lojtarëve që të përmirësohen edhe më shumë.
“The Reds” kryesojnë tabelën e Ligës Premier me 12 pikë nga katër javët e para dhe të shtunën do të presin Evertonin në derbin e Merseyside.
Në mesjavë, skuadra e Arne Slot debutoi me fitore dramatike në Ligën e Kampionëve ndaj Atletico Madridit, falë një goli të Virgil van Dijk në minutat shtesë të pjesës së dytë. Megjithatë, paraqitja e Liverpoolit nuk ka qenë e përsosur, ekipi ka treguar disa dobësi që shqetësojnë trajnerin holandez.
“Ne kemi luajtur vetëm pesë ndeshje, kështu që është e vështirë të flasësh për një model afatgjatë”.
“Ndaj Bournemouth ishim shumë të hapur dhe humbëm Ryan [Gravenberch] në mesfushë, prandaj pësuam dy gola nga kundërsulmi. Atletico nuk shënoi në tranzicion, kështu që nuk mund t’i krahasosh. Por nuk është ideale të kemi epërsi 2-0 tri herë dhe ta humbasim atë, duhet të përmirësohemi”.
Trajneri shtoi se edhe pse forca e Liverpoolit për të reaguar në momentet vendimtare është një avantazh, ekipi nuk duhet të mbështetet gjithmonë tek finalet dramatike.
“Është diçka për të cilën flasim. Nuk është ide e mirë që gjithmonë të detyrohesh të japësh gjithçka deri në fund, sepse mund të mbetesh pa energji e pa forcë mendore në fund të sezonit. Por, nëse na duhet, shpresoj të jemi gjithmonë në gjendje ta bëjmë”./Telegrafi/