Armiku i gruas – Telegrafi

Armiku i gruas - Telegrafi

Nga: Michel Hanna
Përktheu: Elmaz Fida

Shkrimtari egjiptian Tofik Hakimi [Tawfiq al-Hakim] njihej ndryshe me nofkën “armiku i gruas” dhe refuzonte të martohej. Një herë, kur u orvat të bind veten që të martohet me fqinjën e tij, vuri plot pesëmbëdhjetë kushte të vështira që të pranojë e të martohet. Fqinja e tij duhej të deklaronte se i pranon të gjitha kushtet para se të martoheshin.


Vetë Tofiku uronte e shpresonte me shpirt që fqinja të refuzojë qoftë dhe njërin nga kushtet, pasi kështu do të deklaronte se martesa ishte e pamundur e do shpëtonte nga ai qorrsokak emocional. Ai i deklaroi haptazi kushtet e veta, të cilat ishin:

– Askush nuk duhet ta dijë që jemi martuar, sepse dua që kjo martesë të mbetet sekret, të cilin e di vetëm familja jote.

– Kjo martesë nuk duhet përmendur nëpër gazeta, as hapur dhe as me nënkuptim.

– Nuk do të priten mysafirë në shtëpi.

– Nuk do të dalim bashkë për shëtitje apo udhëtime.

– Shpenzimet e shtëpisë do të jenë vetëm njëzet paundë në muaj, pa shtuar as dhe një qindarkë.

– Do të jem unë përgjegjës për problemet e shtëpisë dhe shërbëtorëve.

– Ti (gruaja) do të merresh vetëm me përkujdesjen për fëmijët.

– Do të më trajtosh si një fëmijë të vogël, sepse artisti ka nevojë për përkujdesje dhe përkushtim.

– Shtëpia jonë duhet të jetë e qetë dhe pa zhurma, me qëllim që të përqendrohem te shkrimet e mia.

– Secili prej nesh do të flejë në dhomë më vete, pa ndërhyrë fare në punët e mia.

Por, ndodhi ajo që nuk pritej. Fqinja e bukur i pranoi të gjitha kushtet e vëna, duke treguar nënshtrim dhe gatishmëri për tu martuar me shkrimtarin e madh, i cili ishte njëzet vite më i madh se ajo.

Me kalimin e kohës, ajo ia doli mbanë për mrekulli të nëpërkëmbë të gjitha këto kushte të çuditshme, të vëna nga shkrimtari para martese. Më e çuditshmja është se vetë Tofiku nuk foli asnjë fjalë, por hoqi dorë krejt vullnetarisht nga kushtet që kishte vënë vetë.

Një muaj pas martese, Tofiku shkroi një artikull në gazetën Haberet e sotme, në të cilin thoshte ndër të tjera: “Dashuria … vetëm dashuria është ajo që mund ta bëjë jetën tënde më të mirë”.