Në rrjete të mbyllura të komunikimit, përfshirë grupet në “Telegram” të njohura si “Bunker” dhe “Koridori”, po vërehet një nivel shqetësues i organizimit dhe propagandës ekstremiste me karakter të hapur anti-shtetëror ndaj Republikës së Kosovës.
Anëtarë të këtyre grupeve kanë publikuar vazhdimisht fotografi dhe video duke u ushtruar me armë të rënda, demonstruar gatishmëri luftarake dhe duke artikuluar qartë synimin për përfshirje në veprime të dhunshme, veçanërisht me fokus në veriun e Kosovës.
Pamjet e shpërndara dëshmojnë persona të armatosur rëndë, të cilët mbajnë simbole dhe flamuj që lidhen me tre terroristët e vrarë gjatë sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023, një ngjarje që tronditi sigurinë në vend dhe konfirmoi ekzistencën e strukturave paramilitare me prapavijë ideologjike ekstremiste.
KIKS Kosova ka arritur të depërtoi brenda këtyre grupeve, ku janë identifikuar armë dhe pajisje luftarake që vetë pjesëtarët pretendojnë se i kanë “kundër shtetit të Kosovës”.
Një pjesë e këtij materiali është publikuar edhe nga një llogari në rrjete sociale me emrin “Bojan Stefan Igor”, e cila shërben si kanal propagandistik për përhapjen e mesazheve radikale.
Në postime të ndryshme, kjo llogari shpreh thirrje të hapura për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, duke përdorur edhe narrativë fetare dhe nacionaliste, përfshirë slogane dhe grafika me përmbajtje të tillë si: “Zoti dhe nëna e shenjtë e dhashtë ushtrinë të kthehet në Kosmet.”
Këto mesazhe përbëjnë nxitje të drejtpërdrejtë të urrejtjes dhe cenojnë rendin kushtetues dhe sovranitetin e Kosovës.
E gjithë kjo situatë paraqet kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, duke dëshmuar se rrjetet ekstremiste vazhdojnë të shfrytëzojnë platformat digjitale për rekrutim, propagandë dhe koordinim, gjë që kërkon vëmendje të shtuar institucionale dhe ndërkombëtare.
Një llogari tjetër në rrjete sociale ka publikuar imazhe të një grupi të armatosur në shoqëri me Milan Radoiçiqin, duke shoqëruar materialin me thirrje të hapura për kthimin e tij në Kosovë. Në këto postime përdoren edhe grafika me mesazhe simbolike si “Kur vëllezërit gjëmojnë përsëri”, që nënkuptojnë mobilizim dhe vazhdim të veprimeve të dhunshme.
Në postime të tjera, këta persona i referohen të vrarëve në sulmet e mëhershme si “heronj”, ndërsa paralajmërojnë hapur hakmarrje ndaj shtetit të Kosovës, duke përdorur gjuhë kërcënuese dhe nxitëse.
Sipas materialeve të publikuara, vërehet se urrejtja më e theksuar e këtij grupi është e drejtuar ndaj Policisë së Kosovës.
KIKS Kosova ka kërkuar informacione nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës lidhur me këto grupe dhe aktivitetet e anëtarëve të tyre në rrjete sociale. Megjithatë, deri në momentin e transmetimit të këtij materiali, redaksia nuk ka pranuar ende përgjigje nga kjo agjenci.
Ndiqni të gjitha detajet në kronikën e mëposhtme:


