Arlind Ajeti flet para përballjes me Serbinë

Arlind Ajeti flet para përballjes me Serbinë

Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Arlind Ajeti ka folur para ndeshjes ndaj Serbisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Kombëtarja Shqiptare vijon përgatitjet për ndeshjen kundër Serbisë, ndeshje e cila zhvillohet të shtunën mbrëma.


Mbrojtësi nga Kosova ritheksoi edhe njëherë mesazhin e trajnerit Sylvinho dhe të bashkëlojtarëve të tij, Juljan Shehu e Qazim Laçi, se ekipi do të japë maksimumin në këtë sfidë të rëndësishme.

Ajeti u shpreh se ekipi është i përgatitur dhe i fokusuar për përballjen ndaj Serbisë, duke shtuar se është vetëm një ndeshje futbolli.

Mbrojtësi kuqezi theksoi se ndeshja do të jetë e vështirë si në aspektin futbollistik ashtu edhe në atë emocional, por skuadra do të tregojë profesionalizëm maksimal.

Ai vlerësoi kundërshtarin për cilësinë e lojtarëve, por u shpreh i bindur se Shqipëria do të jetë gati për çdo rast dhe do të japë maksimumin për të ruajtur portën e paprekur.

Normalisht që emocionet i kemi para çdo ndeshje. Mundohemi ta shohim këtë vetëm si një ndeshje futbolli, për të qenë profesionistë në çdo aspekt. Synimi është të shkojmë, të japim maksimumin dhe të marrim 3 pikët. Ndeshja do të jetë e vështirë, si në aspektin futbollistik ashtu edhe në atë emocional, por do të jemi profesionistë”, ka thënë fillimisht Ajeti në konferencën.

“Serbia? – Besoj që Serbia, në çdo repart, ka futbollistë të mirë, me cilësi të lartë, edhe në sulm. Kanë lojtarë si Mitroviç, që fizikisht është shumë i fortë dhe Vlahoviç, i cili kohët e fundit ka zhvilluar ndeshje të mira me Juventusin. Besoj që do t’i analizojmë çdo lojtar më saktësisht dhe do të jemi të përgatitur për çdo rast”.

“Çfarë duhet të bëjmë që të mos pësojmë gol, ashtu si nuk pësuam në “Air Albania”? – Atje do të jetë më e vështirë, sepse çdo ndeshje jashtë është më e vështirë se në shtëpi, pasi atje kanë edhe tifozët. Ne nuk i kemi, por do të japim maksimumin, siç kemi bërë në çdo ndeshje, dhe shpresojmë që t’ia dalim”.

“A keni ndonjë këshillë për sulmuesit që të marrim fitoren? – Këshilla nuk besoj që mund t’ua japim ne, mbrojtësit, sulmuesve, por shpresoj që ato rastet që do t’i kemi t’i shfrytëzojmë, ne mbrapa të mbajmë portën e paprekur dhe sulmuesit e dinë vetë se çfarë duhet të bëjnë”, përfundoi mbrojtësi shqiptar.

/Telegrafi/