Argjend i padeklaruar e produkte qumështi, Dogana parandalon dy raste kontrabande në pikën kufitare Jarinjë

Argjend i padeklaruar e produkte qumështi, Dogana parandalon dy raste kontrabande në pikën kufitare Jarinjë

Dogana e Kosovës, përmes njësive të saj në pikën kufitare Jarinjë, ka parandaluar dy raste kontrabande në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.


Dogana njofton se në rastin e parë gjatë një kontrolli të detajuar mbi një automjet të udhëtarëve, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë, zyrtarët doganorë zbuluan dhe sekuestruan rreth 300 gram argjend të padeklaruar.

“Malli ishte fshehur me qëllim të shmangies së detyrimeve doganore dhe futjes ilegale në tregun e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në një rast tjetër, gjatë kontrollit të një automjeti tjetër, zyrtarët doganorë zbuluan sasi të konsiderueshme produktesh të qumështit.

Dogana njofton se produktet e qumështit po tentonin t’i kontrabandonin pa dokumentacionin e nevojshëm shoqërues dhe pa respektuar rregullat e importit të produkteve me prejardhje shtazore.

Në njoftim thuhet se mallrat janë sekuestruar dhe procedurat ligjore janë duke u ndjekur në bashkëpunim me institucionet kompetente. /Telegrafi/