Me regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, Klina rezultoi me mbi 30 mijë banorë, megjithatë me krejt këtë numër të madh të rezidentëve, një fakt është shqetësues për klinasit.
Pamjaftueshmëria e çerdheve publike, ngase deri më tani është vetëm një e tillë, ndërsa kopshtit të dytë ndonëse në 2019 iu vendosën gurthemelet, as në 2025-ën përfundimi dhe inaugurimi i saj nuk duket në horizont, raporton KIKS Kosova.
Për çerdhen në fshatin Zajm të kësaj komune, drejtori i arsimit, Qemajl Sejdija, thotë që kërkesat e tij të vazhdueshme kanë qenë që ky projekt të merret parasysh nga Ministria e Arbërie Nagavcit ngase do të përfundonte shumë shpejt nëse do të punohej intensivisht në të.
Sipas drejtorit Sejdija, përmbytjet e vitit 2022 shkaktuan dëme në këtë çerdhe gjysmake, dhe vetëm pas insistimeve të drejtorisë me të cilën ky udhëheq, Ministria e Arsimit u angazhua dhe mbuloi vetëm një pjesë të çatisë.
Ndër arsyet kryesore në çalimin e Ministrisë së Arsimit në finalizimin e kësaj çerdheje por dhe të komplet monitorimit të arsimit në Komunën e Klinës, sipas Sejdijës, është mosbashkëpunimi i saj me Komunën.
Sipas tij, ministria ka zvarritur procese të shumta arsimore në komunën e tij.
Arbërie Nagavci, ndër premtimet e saj për planin e 160 çerdheve në krejt Kosovën, kishte përfshirë edhe Komunën e Klinës si një ndër komunat që do bëhej me çerdhe të re.
Por sipas Drejtorit të Arsimit Qemajl Sejdija, për çerdhen që do të ndërtohej nga fillimi, e dinë që është në proces të prokurimit por nuk kanë asnjë informatë më tepër se ku ka mbetur procesi.
Ministria e Arsimit gjatë qeverisjes së Kurtit, në mandatin e tyre 4 vjeçar, sipas drejtorit të Arsimit, nuk ka bërë asnjë hap pozitiv por përkundrazi, arsimi vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme. /Klankosova.tv
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>