Arbër Emini për Telegrafin: Lista Serbe përdori vërtetime mjekësore të falsifikuara për votim me asistencë në Kllokot

Arbër Emini për Telegrafin: Lista Serbe përdori vërtetime mjekësore të falsifikuara për votim me asistencë në Kllokot

Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arbër Emini, ka denoncuar ndërhyrjet e Serbisë dhe të Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke theksuar përdorimin e skemave të orkestruara për votim me asistencë. Ai, një intervistë për Telegrafin ka bërë të ditur se procesi është realizuar me përdorim të dokumenteve të dyshimta, përfshirë vërtetime mjekësore të falsifikuara, të lëshuara vetëm për të mundësuar votimin me asistencë.

Prova dhe dëshmitë


Emini ka theksuar se pretendimet e tij nuk janë thjesht deklarata politike, por mbështeten në dëshmi konkrete nga terreni dhe raportime nga qytetarë dhe vëzhgues.

“Pretendimet tona nuk janë deklarata politike, por të mbështetura në dëshmi konkrete të mbledhura në terren. Kemi raportime nga qytetarë dhe vëzhgues për organizim të koordinuar të votimit me asistencë, transport të grupeve të votuesve në mënyrë të centralizuar, dhe përdorim të ‘vërtetimeve mjekësore’ të dyshimta për të ndikuar procesin zgjedhor. Të gjitha këto janë dorëzuar si prova në institucionet përkatëse për hetim”, tha ai.

Organizimi i votimit me asistencë

Ai ka treguar për Telegrafin se skema ka qenë e qartë dhe e planifikuar për të favorizuar një subjekt politik të vetëm: “Në ditën e zgjedhjeve, persona të caktuar janë pajisur me dokumente të dyshimta dhe janë sjellë në grup për të votuar me asistencë, nën kontroll dhe ndikim të drejtpërdrejtë. Kjo nuk ishte votim individual dhe i lirë, por një proces i planifikuar për të siguruar vota të orientuara për një subjekt të vetëm politik”.

Dyshime për vërtetimet mjekësore të falsifikuara

Emini ka bërë të ditur se dokumentet e dyshimta janë pjesë e dosjes së hetimit në institucionet kompetente.

“Ka prova të dorëzuara në institucionet kompetente që tregojnë për përdorimin e dokumenteve të dyshimta, pa procedura të rregullta mjekësore, vetëm për të krijuar bazë ligjore të rreme për votim me asistencë. Ka shumë vërtetime mjekësore të tilla, me data të ndryshme, që Lista Serbe i ka përdorur për të kontrolluar votat me dokumente jo valide. Skema ishte planifikuar tri ditë para zgjedhjeve dhe u realizua në çdo vendvotim deri në ora 13:00. Deri në ora 15:00, komisionerët dhe vëzhguesit nuk i njihnin këto dokumente false, ndërsa më pas KQZ Prishtinë njoftoi KKZ që këto dokumente nuk lejohen për votimin me asistencë”, potencoi kandidati për kryetar të Kllokotit.

Ndikimi në rezultatin zgjedhor

Emini ka theksuar se skema e orkestruar ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve dhe ka cenuar vullnetin e qytetarëve.

“Skema e orkestruar e votimit me asistencë ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor. Kjo ka cenuar barazinë garuese dhe vullnetin real të qytetarëve. Në një proces të pastër, rezultati do të ishte ndryshe”, shtoi Emini.

Ai ka përmendur vendvotime konkrete ku nuk ka pasur votues serb, por votat janë orkestruar për Listën Serbe: “Kemi vendvotime sikur shkolla Gjon Sereqi në Mogillë, ku nuk gjendet asnjë votues serb, por votat janë orkestruar për Listën Serbe”.

Denoncimet dhe reagimet

Emini ka sqaruar për Telegrafin se rasti është denoncuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës, si dhe janë informuar misionet ndërkombëtare për vëzhgim të afërt. Ai ka bërë thirrje për qytetarët dhe institucionet.

“Vota është e shenjtë dhe e paprekshme — mos lejoni askënd të vendosë për ju. Presim veprim të drejtë, të shpejtë dhe shembullor nga institucionet. Hetimi dhe ndëshkimi i manipulimeve zgjedhore është thelbësor për demokracinë. Nuk do të tërhiqemi dhe nuk do të lejojmë që vullneti i qytetarëve të manipulohet siç kishte vepruar Milan Radojcic me Ardiana Hoxhic, është skemë që e cënon Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, përfundoi Emini.

Sipas Eminit, edhe dy kandidatët e tjerë për kryetar, Strecko Spasic dhe Goran Marinkovic, kanë dorëzuar ankesa dhe denoncime në PZAP, Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës lidhur me veprimet e Listës Serbe në Kllokot.

Në balotazhin e 9 nëntorit për kryetar të Kllokotit do të garojnë Lista Serbe me 41,62% dhe Srpska Narodna Sloga me 31,79% të votave.

Telegrafi ka provuar te kontaktojë me përfaqësuesit e Listës Serbe në këtë komunë, por ka qenë e pamundur./Telegrafi/