Apple ka bërë thirrje të gjithë përdoruesve që të mos vonojnë instalimin e përditësimit më të fundit, edhe nëse nuk mendojnë se janë shënjestër e ndonjë sulmi.
Kompania ka paralajmëruar përdoruesit e pajisjeve iPhone dhe iPad që të instalojnë menjëherë versionin më të ri të iOS-it, 18.6.2, për shkak të një cenueshmërie serioze të sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, dobësia e sigurisë (CVE-2025-43300) është identifikuar në komponentin ImageIO dhe mund t’u mundësojë sulmuesve të marrin kontrollin e pajisjes përmes vetëm një fotografie të dëmshme. Ky problem klasifikohet si një dobësi “zero-day”, që do të thotë se tashmë është shfrytëzuar në një sulm kibernetik të synuar.
Përditësimi iOS 18.6.2 është i disponueshëm për të gjitha modelet që nga iPhone XS e më vonë, si dhe për disa modele iPad – përfshirë iPad Pro (nga gjenerata e tretë e tutje), iPad Air (gjenerata e tretë dhe më i ri), iPad 7 dhe më i ri, si dhe iPad mini 5 dhe më i ri.
Përdoruesve u këshillohet të kontrollojnë menjëherë versionin e softuerit dhe të instalojnë përditësimin përmes hapave: Settings → General → Software Update (Cilësimet → Të përgjithshme → Përditësimi i softuerit).
Apple thekson se bëhet fjalë për një sulm jashtëzakonisht të sofistikuar dhe thelbësore është që të gjithë përdoruesit të reagojnë pa vonesë, edhe pse dobësia deri tani është përdorur vetëm ndaj një numri të kufizuar objektivash.
Ky është një nga disa përditësime emergjente të sigurisë që kompania ka lëshuar gjatë vitit 2025, duke treguar se lufta kundër kërcënimeve kibernetike po bëhet gjithnjë e më intensive.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!