Apple ka hequr aplikacionin ICEBlock, i cili lejonte përdoruesit të shënonin në hartë vendndodhjet ku kishin parë agjentë të Shërbimit për Imigracion (ICE).
Gjithashtu, App Store ka larguar edhe aplikacione të tjera me funksion të ngjashëm.
Sipas Fox Business, prokurorja e shtetit Pam Bondi kërkoi heqjen e tyre, duke theksuar se aplikacionet “janë krijuar për të vënë në rrezik agjentët e ICE, vetëm sepse ata po bëjnë punën e tyre.”
“App Store e kemi krijuar për të qenë një vend i sigurt dhe i besueshëm për të zbuluar aplikacione. Bazuar në informacionet që kemi marrë nga autoritetet ligjzbatuese për rreziqet që paraqiste ICEBlock, ne e kemi hequr atë dhe aplikacionet e tjera të ngjashme,” njoftoi Apple, sipas Engadget.
Bondi kërkoi heqjen e aplikacioneve pasi FBI-ja dhe administrata raportuan se një sulmues, i cili hapi zjarr ndaj një objekti të ICE në Dallas, kishte përdorur aplikacione për gjurmim – përfshirë ICEBlock – për të qëlluar nga çatia.
Sulmuesi vrau dy emigrantë dhe plagosi një të tretë, megjithëse objektiv i tij ishin agjentët e ICE. Zhvilluesi i aplikacionit, Joshua Aron, i tha Fox Business se ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer” nga vendimi i Apple.
ICEBlock arriti në krye të listave të App Store në muajin korrik, pas kritikave publike nga zyrtarët e administratës, të cilat rritën popullaritetin e aplikacionit. Në atë kohë, zyrtarët paralajmëruan Aronin se “po e ndiqnin dhe më mirë të ishte i kujdesshëm,” pasi aplikacioni rrezikonte jetët e oficerëve të rendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!