Anulohet seanca për gazin lotsjellës në Kuvend

Anulohet seanca për gazin lotsjellës në Kuvend

Me kërkesë të ish-deputetes Besa Baftiu, është anuluar seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku e njëjta bashkë me ish-ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-deputetët Pal Lekaj dhe Donika Kadaj-Bujupi po akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.

Kështu kanë konfirmuar nga zyra e gjykatësit Bujar Ahmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Klankosova.tv.

Në këtë rast, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ish-deputetët Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, Albulena Haxhiun, Pal Lekajn, Donika Kadaj-Bujupin dhe Besa Baftiun, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo Prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit ngarkohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal.

The post Anulohet seanca për gazin lotsjellës në Kuvend appeared first on Klan Kosova.