Anthony Joshua pritet të rikthehet në ring në fillim të vitit 2026 dhe sipas raportimeve, kundërshtari i tij mund të jetë rusi gjigant Arslanbek Makhmudov – boksieri i njohur për stërvitjet ekstreme, ku madje përballet me arinj dhe merr goditje me çekan në stomak për të forcuar trupin.
Joshua nuk ka boksuar që nga humbja e rëndë me nokaut ndaj Daniel Dubois në shtator të vitit të kaluar – disfata e katërt dhe më e rëndë e karrierës së tij deri më sot. Gjatë kësaj periudhe, ish-kampioni olimpik ka kaluar një operim në bërryl dhe ende shpreson për duelin e shumëpritur kundër Tyson Fury, “Betejën e Britanisë”.
Megjithatë, pas mungesës së gjatë, pritet që rikthimi i tij të ndodhë kundër një kundërshtari më të “lehtë”, dhe në këtë rast emri më i përfolur është Makhmudov.
Boksieri 34-vjeçar rus, i gjatë 1.96 m, kishte arritur 18 fitore radhazi (17 me nokaut) para se të mposhtej nga Agit Kabayel në dhjetor 2023, ndërsa pësoi një tjetër humbje nga Guido Vianello në gusht 2024, çka i uli ndjeshëm vlerën në treg.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë Makhmudovin duke u stërvitur me metoda ekstreme: duke u përleshur me një ari dhe duke marrë goditje me çekan në bark nga pjesëtarët e ekipit të tij.
Këtë fundjavë ai përballet me Dave Allen në Sheffield – një duel që mund të vendosë shumë për të ardhmen e tij. Allen, i njohur me nofkën “The White Rhino”, është rikthyer në formë me dy fitore radhazi ndaj Jonny Fisher dhe synon një përballje të madhe me Deontay Wilder nëse triumfon.
Në prag të ndeshjes, Allen ka deklaruar për “Seconds Out” se Makhmudov është identifikuar si kundërshtari i mundshëm i Joshuas, në rast se ai e mposht këtë të shtunë.
“Joshua do të ndeshet me Makhmudovin nëse ai më mund. Nëse fitoj unë, nuk besoj se do të kem atë mundësi. Mendoj se Joshua e sheh më kërcënues Makhmudovin, prandaj mund të ndodhë ajo përballje”, tha Allen.
Ndërkohë, Makhmudov ka konfirmuar për “talkSPORT” se ka pasur komunikim me Joshuan, madje se janë pajtuar të boksojnë nëse ai del fitues në Sheffield.
“Joshua më tha në Instagram: nëse e fiton këtë ndeshje, vitin e ardhshëm luftojmë. Inshallah, kjo do të ndodhë”, tha Makhmudov.
Një përballje mes Joshuas dhe “bishës” ruse do të tërhiqte vëmendjen e madhe të botës së boksit – veçanërisht nëse Makhmudov arrin ta rikthejë reputacionin e tij këtë fundjavë. /Telegrafi/