Antetokounmpo përballet me kërcënime serioze nga tifozët turq, publikohen edhe mesazhet që mori ai dhe familja e tij

A shihni vija të drejta apo të lakuara në imazh?

Ekipi i basketbollit të Greqisë fitoi medaljen e parë nën drejtimin e Vassilis Spanoulis, ndërsa për yllin e NBA-së, Giannis Antetokounmpo, ishte medalja e parë në gara të mëdha.

Megjithatë, pas këtij suksesi, Antetokounmpo përjetoi një tronditje të madhe që eklipsoi festën e tij dhe të familjes, pasi ata u bënë shënjestër e kërcënimeve të rënda me vdekje nga tifozët turq.

Mesazhet që morën Giannis dhe gruaja e tij, Mariah, ishin vërtet tronditëse. Mariah publikoi disa prej tyre, mes të cilave lexohej: “Do ta vrasim të gjithë familjen tënde. Do të kesh frikë kudo që të shkosh”, shkruante një tifoz turk.

Mariah vendosi të mos heshtë, por t’i bëjë publike kërcënimet në “Instagram Story” dhe reagoi: “Meqenëse më ke kontaktuar privatisht, tani tregoji të gjithë botës se kush je publikisht. Megjithatë, kjo lloj sjelljeje është e papranueshëm. Shpresoj që ata që lënë komente urrejtëse dhe dërgojnë mesazhe të neveritshme familjes sime të jenë krenarë për veten e tyre”, ka shkruar Mariah, bashkëshortja e Giannis Antetokoumpo.

Pasi Greqia fitoi medaljen e bronztë, Giannis postoi një video të festimit në Instagram. Megjithatë, në komente nisi një “përmbytje” e vërtetë e komenteve me flamuj të Turqisë. Kjo shkaktoi irritimin e basketbollistit grek, i cili reagoi: “Për hir të Zotit, hiqini ato flamuj turq.”

Mediat turke e interpretuan këtë si një fyerje të madhe ndaj simbolit kombëtar dhe në këtë mënyrë i vunë flakën debatit në mbarë vendin. /Telegrafi/