Publiku kosovar do të ketë privilegjin të përjetojë një nga zërat më të mëdhenj të skenës operistike botërore. Mezzosopranoja gjeorgjiane Anita Rachvelishvili vjen për herë të parë në Prishtinë, për të performuar në kuadër të edicionit të 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj.
Koncerti do të mbahet mbrëmjen e sotme në hapësirën e jashtme të Biblotekës Kombëtare në Prishtinë në orën 20:30. E shoqëruar nga Ansambli i Festivalit RLIOF dhe nën drejtimin e mjeshtrit Nikoloz Rachveli, Rachvelishvili do të sjellë arie dhe këngë të njohura nga një repertor i përzgjedhur, duke ndarë me audiencën energjinë që e ka bërë të njohur në skenat më prestigjioze të botës, si La Scala, The Met dhe Opera e Parisit.
Kjo ngjarje shënon një tjetër sukses të misionit të RLIOF: të sjellë artin operistik më afër publikut dhe të pozicionojë Kosovën në hartën botërore të artit operistik, nën moton inspiruese të këtij viti: “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure!”
Përmbyllja e festivalit do të kurorëzohet me Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends”, që do të mbahet më 2 gusht, në Sheshin Skënderbeu, nga ora 20:30, me pjesëmarrjen e yjeve të mëdhenj të skenës ndërkombëtare si sopranoja Nino Machaidze, bassi Dario Russo, dhe i yni, tenori Rame Lahaj, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën dirigjimin e maestro Roberto Rizzi Brignoli-it.
The post Anita Rachvelishvili, ylli i botës së operës, ngjitet në skenë sonte në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj appeared first on Klan Kosova.