Në një mbrëmje të paharrueshme nën qiellin e hapur të kryeqytetit, publiku kosovar pati privilegjin të përjetojë nga afër një prej performancave më të fuqishme operistike të kohës sonë. Mezzosopranoja me famë botërore Anita Rachvelishvili performoi për herë të parë në Kosovë, në kuadër të edicionit të 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj (RLIOF).
Anita Rachvelishvili u shoqërua nga Ansambli i Festivalit RLIOF, nën drejtimin e maestro Nikoloz Rachveli, i cili udhëhoqi mbrëmjen me një ndjeshmëri të veçantë artistike, duke sjellë një harmoni të rrallë mes interpretimit dhe emocioneve të publikut.
Zëri i saj, që ka dominuar skenat më prestigjioze si La Scala, The Met dhe Opera e Parisit, preku zemrat e publikut shqiptar, duke e shndërruar këtë koncert në një moment historik për jetën kulturore të vendit.
Në shenjë vlerësimi për këtë moment të rrallë dhe për kontributin e saj në jetësimin e vizionit artistik të festivalit, Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, i dhuroi artistes simbolin e kryeqytetit “Hyjnesha në Fron”.
Ky koncert ishte dëshmi e fuqishme e misionit të festivalit: të sjellë artin operistik ndërkombëtar më afër publikut dhe ta vendosë Kosovën në hartën globale kulturore, duke jetësuar edhe moton e këtij viti “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure!”.
Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj mbyll siparin e tij me ngjarjen më kulmore, atë të Mbrëmjes Gala “Rame Lahaj & Friends”, në sheshin Skenderbeu, me 2 gusht nga ora 20:30, ku do të ngjiten në skenë yje ndërkombëtarë të operës si sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi Italian Dario Russo dhe i yni, tenori Rame Lahaj, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën udhëheqjen e maestro Roberto Rizzi Brignoli.
The post Anita Rachvelishvili, një nga zërat më të mëdhenj të operës botërore, magjepsi publikun në Prishtinë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj appeared first on Klan Kosova.