Pas ndeshjeve të zhvilluara të martën në mbrëmje, pesë përfaqësuese të tjera siguruan kualifikimin për Kupën e Botës 2026 – një nga Evropa, dy nga Azia dhe dy nga Afrika.
Bëhet fjalë për Anglinë, Arabinë Saudite, Katarin, Bregun e Fildishtë dhe Senegalin. Me to, numri i ekipeve të kualifikuara ka arritur në 26 nga 48 të mundshme.
Anglia dominoi plotësisht Grupin K të kualifikueseve evropiane, ku ndodhen edhe Shqipëria, Serbia, Letonia dhe Andorra.
“Tre Luanët” kanë fituar të gjitha ndeshjet e tyre deri më tani, duke grumbulluar 18 pikë pa pësuar asnjë gol. Kualifikimi u vulos me një fitore të thellë 5-0 ndaj Letonisë.
Në kontinentin afrikan, Senegali dhe Bregu i Fildishtë siguruan vendet e para në grupet e tyre. Senegali triumfoi ndaj Mauritanisë, ndërsa Bregu i Fildishtë mundi Keninë, duke konfirmuar dominimin e tyre në fazën kualifikuese.
Në Azi, Arabia Saudite mori një barazim vendimtar me Irakun, duke u kualifikuar si e para në grupin me tri ekipe, ndërsa Katari fitoi ndeshjen vendimtare ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, duke siguruar pjesëmarrjen në Botëror si kampion në fuqi i Azisë.
Kombëtaret e kualifikuara deri më tani për Kupën e Botës 2026:
Afrika: Algjeria, Egjipti, Maroku, Tunizia, Gana, Kepi i Gjelbër (debutues), Afrika e Jugut, Senegali, Bregu i Fildishtë
Evropa: Anglia
Azia: Australia, Irani, Japonia, Koreja e Jugut, Jordania (debutuese), Uzbekistani (debutues), Arabia Saudite, Katari
Amerika e Jugut: Brazili, Argjentina, Kolumbia, Ekuadori, Paraguai, Uruguai
Oqeania: Zelanda e Re
Amerika e Veriut: SHBA, Kanadaja dhe Meksika të kualifikohen automatikisht si vende organizatore.
/Telegrafi/