Anëtarët e Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar kanë votuar për të njohur se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, në një veprim që rrit presionin mbi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për të miratuar të njëjtin qëndrim.
Delegatët në konferencën e partisë Laburiste miratuan një mocion emergjence që mbështet gjetjet e Komisionit Hetimor të Kombeve të Bashkuara, i cili më parë këtë muaj arriti në përfundimin se Izraeli “ka kryer gjenocid”.
Votimi u mbështet fuqimisht nga sindikatat, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.
Vendimi bie ndesh me udhëheqësin e Partisë Laburiste dhe kryeministrin Keir Starmer, si dhe ministrat e lartë, të cilët kanë argumentuar se çështja e gjenocidit duhet të përcaktohet nga gjykatat ndërkombëtare dhe jo nga politikanët.
Izraeli po përballet me një çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë në të cilën akuzohet për kryerjen e gjenocidit.
Ben Jamal, drejtori i organizatës aktiviste të Fushatës së Solidaritetit Palestinez, tha se votimi është “një humbje e madhe për qeverinë”.
“Ky votim historik tani duhet të bëhet politikë qeveritare: vendosja e sanksioneve gjithëpërfshirëse ndaj Izraelit dhe një embargo të plotë armësh”.
“Nëse qeveria përpiqet ta injorojë këtë votim të rëndësishëm, ajo jo vetëm që do të mohojë faktet, kundër opinionit publik, do të izolohet gjithnjë e më shumë globalisht, por edhe do të jetë në luftë me partinë e vet”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit dënoi vendimin e Partisë Laburiste, duke shkruar në X: “Ndërsa kryeministri [izraelit] [Benjamin] Netanyahu dhe presidenti [i SHBA-së] [Donald] Trump po punojnë pa u lodhur në Uashington për t’i dhënë fund luftës në Gaza, Partia Laburiste e Mbretërisë së Bashkuar zgjedh të ‘përqafojë’ Hamasin dhe të miratojë plotësisht gënjeshtrat e tij, përfshirë fushatën e gjenocidit të rremë”.
“Bota qëndron me SHBA-në dhe Izraelin në përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund luftës. Laburistët mbështesin Hamasin”, tha ajo. /Telegrafi/