Analiza mbi Barcelonën aktuale: Vlerësimi i fillimit, MVP, transferimi më i mirë, shpresat për trofe

Analiza mbi Barcelonën aktuale: Vlerësimi i fillimit, MVP, transferimi më i mirë, shpresat për trofe

FC Barcelona po kalon një moment të ndërlikuar pas humbjeve radhazi ndaj PSG-së dhe Sevillas, që kanë sjellë një atmosferë të rënduar në klub.

Megjithatë, katalanasit hyjnë në këtë pushim të dytë të sezonit me një bilanc jo të keq në kampionat – shtatë fitore, një barazim dhe një humbje – ndonëse ndjenja e përgjithshme në ekip është e hidhur.


Në Ligën e Kampionëve, rrugëtimi ka qenë më i vështirë. Pavarësisht fillimit pozitiv me fitoren ndaj Newcastle, disfatat e fundit kanë lënë gjurmë. Barcelona e Hansi Flick ka nisur sezonin me ambicie të mëdha, por rezultatet e fundit e kanë vendosur nën presion trajnerin gjerman, që po udhëheq projektin e tij të dytë në “Camp Nou”.

Gjatë verës, klubi bëri disa ndryshime të rëndësishme në skuadër. U afruan Joan Garcia, Marcus Rashford dhe Roony Bardghji, tre lojtarë që kanë dhënë shenja pozitive. Garcia u bë titullar para dëmtimit, Rashford po përshtatet gjithnjë e më shumë, ndërsa Bardghji po e shfrytëzon në maksimum minutazhin që i jep Flick.

Megjithatë, Barcelona vazhdon të mbështetet te dy emrat kryesorë të skuadrës: Pedri dhe Lamine Yamal. Pedri, dirigjenti i mesfushës, është ende zemra e lojës katalanase – kur topi nuk kalon nëpër këmbët e tij, ekipi humbet ritmin.

Ndërsa Yamal, megjithëse aktualisht i dëmtuar, ka qenë një armë e frikshme për kundërshtarët dhe një simbol i brezit të ri që po ngrihet në “Camp Nou”.

Trajneri Flick ka treguar qasje të kujdesshme ndaj rotacionit, duke i dhënë minuta pothuajse të gjithë lojtarëve për shkak të ngarkesës së madhe të ndeshjeve. Disa prej tyre madje kanë befasuar me paraqitjet e tyre në këtë fillim sezoni.

Por sfida më e madhe e Barcelonës mbetet vala e lëndimeve që ka goditur skuadrën. Emra si Ter Stegen, Raphinha, Fermín, Gavi, Balde, Joan García dhe Lamine Yamal janë ose kanë qenë jashtë fushës për javë të tëra, duke krijuar boshllëqe të ndjeshme në çdo repart.

Aktualisht, Barcelona ndodhet në vendin e dytë të La Ligës, dy pikë prapa liderit, Real Madridit, pas humbjes ndaj Sevillas. Deri në atë ndeshje, ndjesia në skuadër kishte qenë pozitive, por tashmë Flick duhet të gjejë menjëherë reagimin për të shmangur rënien e moralit.

Objektivi kryesor i klubit është të mbrojë titullin e kampionit, ndërsa Liga e Kampionëve mbetet synimi i madh i sezonit. Katalanasit duan të shkojnë deri në fund të garës pas zhgënjimit të sezonit të kaluar, kur u eliminuan në fazat e fundit.

Pushimi i ndeshjeve ndërkombëtare ka ardhur në një moment delikat për skuadrën. Flick ka pak ditë për të analizuar situatën dhe për të rikthyer ekuilibrin në ekip përpara përballjes së rëndësishme me Girona, javën e ardhshme. Një tjetër hap fals do të sillte presion edhe më të madh nga mediat dhe tifozët.

Ndërkohë, pritet që pas pushimit, Barcelona të kthehet në “Camp Nou”. Megjithëse Këshilli i Qytetit ende nuk ka dhënë dritën jeshile përfundimtare, klubi planifikon që ndeshja e parë në shtëpi pas rikonstruksionit të zhvillohet kundër Gironas, më 18 tetor. /Telegrafi/