Analisti Lulzim Veliu ka thënë se veprimet e presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me territorin e shteteve që e rrethojnë ShBA-në, mund t’iu japin hapësirë edhe vendeve të tjera të botës që të kenë qëndrime për shkëmbime të territoreve.
Në Kosova Today të Klan Kosovës, ai ka thënë se ndikim nga Trump kanë edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se të gjitha raportet jo vetëm në Kosovë për raportet me Serbinë, por edhe në gjithë Ballkanin Perëndimor edhe në rend global ka ndryshime të mëdha. Do të thotë kemi ndryshime të mëdha globale sidomos pas ardhjes në pushtet të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ndryshime që nuk rezultojnë pozitivitet por janë ndryshime që rezultojnë me kanosje të shkëmbimit në çdo rajon të botës”.
“Me vet faktin se presidenti i ShBA-së ka pretendime territoriale ndaj Grinlandës, pastaj ndaj Kanadasë, por edhe deklaratat i ndryshimi të emrit nga Gjiri Meksikan në Gjirin Amerikan, në një farë mënyrë iu hapin rrugën të tjerëve të kenë pretendime territoriale ndaj vendeve tjera më pak të fuqishme. Ose në një farë mënyrë e arsyeton edhe gjithë luftën e Rusisë dhe presidentit rus Vladimir Putin që është bërë në Ukrainë”, ka thënë Veliu.
Ndër tjera, ai ka folur edhe për vizitën që ka bërë sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në ShBA.
“Për dallim nga fillimi i bisedimeve në Arabinë Saudite ditë më parë, vizitën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tani e shoh si pozitive. Derisa Zelensky ka shkuar në ShBA unë mendoj se ai në Paris është pajtuar për një pjesë të marrëveshjes”.
“Këtë vizite e shoh si pozitive, urojmë të dalim me një rezultat pozitiv, dhe asnjë mënyrë të shkojmë në një marrëveshje mes Rusisë dhe ShBA-së për Ukrainën, pa qenë Ukraina në tavolinë dhe Bashkimi Evropian”, ka thënë Veliu. /Klankosova.tv
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>