Amir Rrahmani mungon ndaj Suedisë, lëndimi e mban jashtë fushës

news image

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Suedisë, pasi ka pësuar një lëndim në sfidën ndaj Zvicrës, të zhvilluar të premten në Bazel.

Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Futbollit të Kosovës, përmes një njoftimi zyrtar të publikuar në faqen e tyre.

“Përkundër dëshirës së madhe për të qenë në fushë, pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore është konstatuar se Rrahmani e ka të pamundur të paraqitet në këtë ndeshje për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen e së premtes kundër Zvicrës në Bazel”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Për shkak të kësaj, Rrahmani është liruar nga grumbullimi dhe do të kthehet në klubin e tij, ku do të vazhdojë trajtimin mjekësor me synimin që të rikuperohet sa më shpejt.

“… për t’u kthyer në klubin e tij, ku do të vazhdojë trajtimin mjekësor me qëllim që të rikuperohet sa më shpejt dhe të rikthehet në fushë, për të qenë gati më pas edhe për ndeshjet e muajit tetor me fanellën dardane kundër Sllovenisë dhe Suedisë”, thuhet tutje në komunikatën e FFK-së.

Ndeshja mes Kosovës dhe Suedisë do të zhvillohet të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/