Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka bërë të ditur se pesë shtetas shqiptarë që ndodhen aktualisht në Izrael për punë apo turizëm kanë kërkuar ndihmë për t’u evakuuar, për shkak të përshkallëzimit të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një intervistë për A2 CNN, Kumbe përshkroi situatën si tepër të rëndë, duke thënë se jeta në qytetet izraelite është paralizuar dhe banorët ndjekin me përpikëri urdhrat për strehim. “Vetëm kur i dëgjon bombardimet është e vështirë, e jo më kur i përjeton. Po zbatojmë në mënyrë strikte të gjitha rregullat”, deklaroi ajo.
Ambasadorja theksoi se shkollat dhe zyrat janë mbyllur, qytetarët punojnë nga vendet e sigurta dhe në rrugë nuk ka as trafik e as lëvizje. Të vetmet qëndra të hapura janë farmacitë dhe supermarketet. Ndërkohë, për raste emergjente, qytetarët paralajmërohen përmes SMS-ve nga autoritetet izraelite.
Ajo shtoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me shtetasit shqiptarë, ndërsa komuniteti shqiptar rezident nuk ka shprehur dëshirë për t’u larguar. “Ata që janë gjendur rastësisht këtu na thonë: ‘Aman, na ktheni në shtëpi’. Aeroporti është i mbyllur, po ashtu edhe rruga detare. Prioriteti ynë është t’i mbajmë të sigurt”, tha Kumbe.
Sipas saj, 24 orët e fundit kanë qenë më të qeta, me vetëm tre alarme të regjistruara në orët e mëngjesit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!