Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë gjendet i vdekur në Paris – ra nga kati i 22-të i një hoteli

Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë gjendet i vdekur në Paris - ra nga kati i 22-të i një hoteli

Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë, Emmanuel Mthethwa, është gjetur i vdekur jashtë një hoteli luksoz në Paris, në rrethana që kanë ngritur shumë pikëpyetje.

Trupi i tij u zbulua pranë hotelit Hyatt Regency, dhe dyshohet se ai ka rënë nga kati i 22-të, ku kishte marrë me qira një dhomë.


Ngjarja ka ndodhur pak pasi bashkëshortja e tij e kishte raportuar si të zhdukur pranë autoriteteve franceze. Ajo kishte marrë një mesazh shqetësues nga ai një ditë më parë, i cili ka nxitur frikën për gjendjen e tij mendore dhe fizike, raporton reuters.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se një nga dritaret e dhomës së ambasadorit, që ishte e siguruar me mekanizma sigurie, ishte hapur me forcë. Ky detaj është bërë objekt hetimi nga prokuroria e Parisit, e cila është duke shqyrtuar të gjitha pistat e mundshme, përfshirë aksidentin, vetëvrasjen apo një akt të mundshëm kriminal.

Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa Ministria e Jashtme e Afrikës së Jugut ka shprehur tronditjen dhe pikëllimin për humbjen e diplomatit, duke shtuar se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet franceze për të siguruar një hetim të plotë dhe transparent.

Ndërkohë, komuniteti diplomatik në Paris është shprehur i tronditur nga vdekja tragjike e ambasadorit Mthethwa, i cili ishte i njohur për përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Afrikës së Jugut dhe Francës. /Telegrafi/