Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku u diskutua për partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe procesin e konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Gjatë takimit, Osmani shprehu falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme britanike, duke e cilësuar atë thelbësore për Kosovën.
“Jam mirënjohëse për përkrahjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës ndër vite. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për forcimin e marrëdhënieve tona dhe përmbushjen e aspiratave të përbashkëta, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe bashkëpunimit ekonomik.”, tha ajo.
Presidentja theksoi gjithashtu se në procesin e formimit të institucioneve do të veprojë vetëm në përputhje me aktet më të larta ligjore të vendit.
“Veprimet e mia do të jenë gjithmonë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës, me qëllim që të garantojmë stabilitet institucional dhe respektimin e vullnetit qytetar.”, nënvizoi Osmani.
Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, i cili pas takimit publikoi edhe një reagim në ‘Facebook’, ku theksoi rëndësinë e hapave të ardhshëm për funksionalizimin e institucioneve.
“Ishte kënaqësi të takoja sot Presidenten Osmani. Diskutuam për partneritetin e ngushtë Kosovë-MB dhe nevojën urgjente për hapat e ardhshëm në formimin e Kuvendit, në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Po ashtu, u dakorduam mbi shpresat tona për zgjedhjet lokale që përfaqësojnë zërat dhe aspiratat e të gjitha komuniteteve në Kosovë, si dhe për angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për një demokraci multi-etnike.”, tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!