Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se siguria në Kosovë nga pamja e jashtme është e qetë, por sipas tij, ekziston një brishtësi për të cilën duhet të jemi shumë të vetëdijshëm.
Ambasadori britanik tha se i bëjmë thirrje Kosovës të sigurojë që situata të mbetet jo vetëm e qetë, por edhe të fitojë qëndrueshmëri më të thellë.
“Mendoj se, për momentin, në pamje të jashtme është e qetë, dhe shpresoj që kështu të vazhdojë. Por, mendoj se ekziston një brishtësi për të cilën duhet të jemi shumë të vetëdijshëm. Banjska dhe incidente të tjera treguan se gjithmonë ekziston një cenueshmëri ndaj ngjarjeve të tilla – sidomos kur ka arsye që komunitetet të mos i besojnë njëri-tjetrit, ose kur ndodhin situata që tregojnë përpjekje për të minuar institucionet. Pra, në përgjithësi është e qetë, por e brishtë. Dhe, le të punojmë së bashku që kjo brishtësi të jetë e menaxhueshme, dhe ta zhvendosim drejt një drejtimi tjetër – drejt më shumë stabiliteti për të gjithë, sepse mendoj se kjo është në interesin e të gjithëve.”, tha ai.
“Ne, sigurisht, kemi trupa këtu, si pjesë e KFOR-it. Aktualisht, kemi 350 trupa që janë pjesë e rezervës strategjike. Kjo situatë, pra, prek jo vetëm Kosovën, por edhe Mbretërinë e Bashkuar. Prandaj, ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës të sigurojë që situata të mbetet jo vetëm e qetë, por edhe të fitojë qëndrueshmëri më të thellë.”, tha tutje ai për rel.
Gjatë ditës së djeshme, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se së fundi janë regjistruar raste të fluturimeve të dronëve në pjesën veriore të vendit, për të cilat dyshohet se vijnë nga territori i Serbisë.
Ai tha se Policia është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe po kryen monitorime të situatës.
Lidhur me këtë, ambasadori britanik tha se nuk i di hollësitë.
“Jo, nuk i di hollësitë për këtë çështje. Jam shumë i bindur se drejtori Hoxha dhe KFOR-i do të vazhdojnë komunikimin shumë të mirë që e di se e kanë mes vete, për të kuptuar saktësisht çfarë po ndodh dhe çfarë duhet bërë në këtë drejtim.”, theksoi Hargreaves.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!