Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, së bashku me ambasadorët e BE-së dhe shefat e misioneve në Kosovë, të mërkurën u takuan me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar zhvillimet paszgjedhore.
Gjatë takimit, Orav bëri të ditur se procesi zgjedhor është vlerësuar pozitivisht, duke theksuar përkushtimin e fortë ndaj parimeve demokratike.
Ambasadorët gjithashtu nënvizuan rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të qeverisë së re.
“Vlerësuam procesin zgjedhor që pasqyron një angazhim të fuqishëm për parimet demokratike dhe theksuam rëndësinë e formimit të shpejtë të qeverisë”, ka shkruar Orav në “X”.
Në takim u diskutua edhe për ratifikimin e marrëveshjeve lidhur me Planin e Rritjes së BE-së, me qëllim që përfitimet të arrijnë sa më shpejt te qytetarët e Kosovës.
“Bëmë thirrje për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjeve lidhur me Planin e Rritjes për të sjellë përfitime për popullin e Kosovës. Po ashtu, theksuam se Dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi mbetet thelbësor për përparimin në rrugët e tyre të integrimit evropian”, ka shtuar Orav.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


