Në përvjetorin e 26-të të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përkujtuar këtë ngjarje historike që shënoi fundin e një epoke të dhunës dhe fillimin e një kapitulli të ri për vendin.
Përmes një postimi në Facebook, Ambasada e SHBA-së thekson rëndësinë e 12 qershorit 1999, duke e cilësuar atë si një pikë kthese për Kosovën.
“Sot shënohen 26 vjet që kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë shpresë, siguri dhe një rrugë drejt paqes. 12 qershori 1999 ishte një pikë kthese – një pikë që u lejoi familjeve të zhvendosura të ktheheshin dhe komuniteteve të fillonin rindërtimin.”, thuhet në njoftim.
Në këtë përvjetor simbolik, ambasada vlerëson qëndrueshmërinë e qytetarëve të Kosovës dhe riafirmon përkushtimin amerikan për një të ardhme të përbashkët në paqe e zhvillim.
“Në këtë përvjetor, ne nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe angazhimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në paqe, siguri dhe prosperitet.”, thuhet mes të tjerash.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!