Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar se të premtën nga ora 15:00 e deri në ora 21:00 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të zhvillohet një ushtrim i përbashkët.
Siç njofton ambasada, ky ushtrim i 12 dhjetorit, do të përqëndrohet në menaxhimin e krizave, koordinimin në mes të agjencive dhe procedurat e reagimit ndaj emergjencave.
Në njoftim sqarohet se kjo është si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme nga SHBA dhe Kosova për të forcuar bashkëpunimin në siguri dhe për të siguruar gatishmërinë në reagimin ndaj një sërë incidentesh të mundshme.
Ambasada e ShBA-së njofton se gjatë ushtrimit, qytetarët mund të presin shtim të personalit të sigurisë dhe policisë së Kosovës tek Ambasada amerikane dhe zonat e tjera, ndërprerje trafiku e mbyllje të rrugëve sipas udhëzimeve t policisë.
“Prani të shtuar të Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës së SHBA-së në afërsi të Ambasadës së SHBA-së dhe zonave të tjera të caktuara të trajnimit në Prishtinë; Ndërprerje të përkohshme të trafikut dhe devijime, duke përfshirë mbyllje afatshkurtra të rrugëve sipas udhëzimeve të Policisë së Kosovës;
Përdorim i mundshëm i sirenave, altoparlantëve dhe efekteve të tjera stërvitore që mund të jenë të dukshme për banorët dhe kalimtarët”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara, thekson se ky është vetëm një ushtrim, jo një përgjigje ndaj një incidenti të vërtetë.
“Ne i kërkojmë publikut mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre dhe të ndjekin çdo udhëzim të dhënë nga Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe”, shkruan ambasada amerikane.


