Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka vlerësuar arritjet e kompanisë Paketos, duke e cilësuar atë si një histori suksesi që po forcon lidhjet tregtare ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Në postimin e saj zyrtar, Ambasada theksoi se falë Paketos, qytetarët e Kosovës sot kanë mundësi të marrin produkte amerikane brenda vetëm një jave, duke pasur qasje direkte në mbi 1 miliard artikuj nga platformat më të njohura ndërkombëtare si Amazon, BestBuy, Walmart, eBay dhe shumë të tjera.
Ky zhvillim është një dëshmi e fuqisë së sektorit privat dhe e rolit të Paketos në sjelljen e tregjeve globale më afër familjeve kosovare, duke reflektuar gjithashtu mbi përkushtimin e kompanisë për rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve dhe shërbimeve të saj.
“Ky moment thekson rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik Kosovë–SHBA dhe tregon potencialin e bizneseve kosovare për t’u bërë ura lidhëse me tregjet ndërkombëtare,” u vlerësua në postim.
Me këtë arritje, Paketos vazhdon të konsolidohet si një ndër partnerët e preferuar të tregtisë me SHBA-në (#PreferredPartnerUSA), duke hapur mundësi të reja për konsumatorët dhe duke forcuar rolin e Kosovës në zinxhirin tregtar global.