E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në dyvjetorin e vrasjes së tij gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Ambasada amerikane njoftoi se Prattipati iu bashkua përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe trupit diplomatik për të nderuar kujtimin e rreshterit Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës më 24 shtator 2023.
“E ngarkuara me punë Anu Prattipati iu bashkua liderëve të institucioneve të Kosovës dhe kolegëve diplomatë për të nderuar kujtimin e rreshterit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës, dy vjet më parë gjatë sulmit në Banjskë,” thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.
Reagimet e ambasadave të huaja
Në përvjetorin e dytë të sulmit terrorist në Banjskë, disa ambasada të shteteve mike kanë shprehur solidaritet dhe kanë kërkuar drejtësi për rreshterin Bunjaku.
Ambasada e Francës në Kosovë: “Dy vjet pas sulmit kriminal në Banjskë, i cili ia mori jetën Rreshterit Afrim Bunjaku, mendimet tona janë me familjen e tij. Franca vazhdon të bëjë thirrje që autorët e këtij sulmi vdekjeprurës të sillen para drejtësisë.”
Ambasada britanike në Kosovë: “Sot shënohet përvjetori i dytë i sulmit të tmerrshëm në Banjskë. Ne vazhdojmë të vajtojmë humbjen e policit Afrim Bunjaku gjatë sulmit. Nderojmë profesionalizmin dhe guximin e Policisë së Kosovës për veprimin e tyre, si dhe prokurorëve për punën e durueshme në hartimin e aktakuzës. Autorët, përfshirë Millan Radoiçiqin, ende nuk janë kapur dhe sjellë para drejtësisë, dhe u bëjmë thirrje autoriteteve serbe të veprojnë sa më shpejt.”
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë: “Dy vjet që nga vrasja e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe pavarësisht garancive të ndryshme se autorët do të mbahen përgjegjës, ende nuk është vënë drejtësi. Kjo pandëshkueshmëri e dukshme është e papranueshme. Është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të zbatohen pa vonesë.”
Rasti i Banjskës
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë më 24 shtator 2023, kur afër Manastirit në Banjskë të Zveçanit, së bashku me disa kolegë, kishte ndërhyrë pas një informate për barrikada në një urë.
Një mjet shpërthyes, dyshohet me telekomandë, i shkaktoi plagë vdekjeprurëse. Në sulm u plagos edhe polici Alban Rashiti, gjatë shkëmbimit të zjarrit me grupin sulmues.
Pamjet e dronit të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës treguan një grup terroristësh të armatosur dhe uniformuar jashtë objektit të Manastirit të Banjskës, të cilët mbanin maska dhe kapela ushtarake.
Një nga veturat e konfiskuara përmbante dokumente që lidheshin me Millan Radoiçiqin, i dyshuari kryesor i sulmit.