Amazon do të duhet të paguajë gjobën më të madhe në histori për mashtrim të klientëve

A shihni vija të drejta apo të lakuara në imazh?

Amazon ka pranuar të paguajë 2.5 miliardë dollarë për të zgjidhur një padi të ngritur nga qeveria federale amerikane, e cila e akuzonte kompaninë se kishte mashtruar miliona njerëz për t’u anëtarësuar në shërbimin Prime dhe më pas ua kishte vështirësuar çregjistrimin.

Sipas marrëveshjes së shpallur nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), 1.5 miliard dollarë do t’u shpërndahen konsumatorëve që janë mashtruar për t’u regjistruar në këtë shërbim. Kjo është gjoba më e madhe tregtare që FTC ka siguruar ndonjëherë.

Marrëveshja u arrit disa ditë pasi nisi gjyqi me juri në Seattle. Amazon nuk i ka pranuar, por as mohuar akuzat, dhe nuk ka dhënë komente për media.

Shërbimi Prime ofron transport falas, streaming filmash dhe përfitime të tjera. Në SHBA kushton 120 euro në vit, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar kushton 107 euro në vit, dhe përdoret nga qindra miliona njerëz në mbarë botën.

FTC pretendoi se Amazon përdorte mënyra të paligjshme për blerjet online për të nxitur përdoruesit të regjistroheshin në Prime, shpesh pa sqaruar qartë kushtet ose pa dhënë mundësinë për të refuzuar ofertën, raporton yahoofinance.

Problem ishin edhe periudhat falas provuese njëmujore, sepse klientët nuk ishin paralajmëruar qartë se anëtarësimi do të tarifohej automatikisht pas përfundimit të provës.

Sipas FTC-së, këto praktika shkelin ligjet për mbrojtjen e konsumatorëve.

“Provat treguan se Amazon përdori kurthe të sofistikuara për abonim për të manipuluar konsumatorët të regjistrohen në Prime, dhe më pas ua bëri shumë të vështirë anulimin e anëtarësisë”, tha kryetari i FTC-së, Andrew Ferguson dhe shtoi se “po u kthejmë miliarda dollarë konsumatorëve amerikanë dhe po sigurojmë që Amazon të mos e përsërisë më këtë praktikë”.

Vlerësohet se rreth 35 milionë amerikanë të prekur nga këto praktika midis qershorit 2019 dhe qershorit 2025 mund të marrin rimbursime. Shuma mund të shkojë deri në 51 dollarë për person.

Amazon ka rënë dakord të kthejë automatikisht paratë për ata përdorues që e kanë përdorur Prime më pak se tre herë në një vit pas regjistrimit. Ata që e kanë përdorur më pak se dhjetë herë do të mund të kërkojnë kthimin e parave përmes një formulari.

Si pjesë e marrëveshjes, Amazon nuk do të lejohet të përdorë më butona me mesazhe si “Jo, nuk dua transport falas”, dhe do të detyrohet të krijojë një mënyrë të thjeshtë për të anuluar anëtarësimin në Prime. /Telegrafi/