Isli Dhimaku, vëllai 10-vjeçar i dy motrave Elvisa dhe Rozina Dhimaku, të cilat humbën jetën në aksidentin tragjik të Delvinës mbrëmjen e së dielës, ka mbërritur në Romë për kurim.
Imami dhe bamirësi Elvis Naçi njoftoi në ‘Facebook’ se 10-vjeçari, i diagnostikuar me leukemi, ndodhet në spitalin “Bambino Gesu” bashkë me nënën e tij.
“Amaneti u krye! Isli, vëllai i dy motrave që humbën jetën nga aksidenti, arriti në spitalin Bambino Gesu në Romë bashkë me nënën. Shpresat janë të mëdha që Isli i vogël të shërohet. Ai tani po fillon kurimin e një sëmundjeje të vështirë, por ne të gjithë të lutemi për djalin e vogël që të kthehet i shëruar në shtëpi. O Zot, sheroje Islin, jepu mjekëve sukses, ktheje atë të shëruar plotësisht tek nëna dhe babai”, shkruan Naçi.
Elvisa dhe Rozina udhëtonin nga fshati i tyre, Kopaçez i Delvinës, drejt spitalit të Sarandës, ku ndodhej vëllai i tyre i diagnostikuar me leukemi, por fatkeqësisht nuk arritën kurrë në destinacion.
Aksidenti ndodhi pasi 23-vjeçari Kevin Norra, duke drejtuar një mjet tip Audi Q5 në gjendje të dehur dhe me shpejtësi të lartë, doli në korsinë e kundërt dhe u përplas kokë më kokë me automjetin “Lancia”, ku ndodheshin dy motrat dhe kushërira e tyre, Antonela Zhupa, 24 vjeçe. Përplasja ishte fatale; dy motrat humbën jetën në vend, ndërsa kushërira e tyre mbeti e plagosur rëndë dhe po trajtohet ende në spital.
Dita e djeshme solli një zhvillim tjetër ligjor, pasi Gjykata e Sarandës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 23-vjeçarin Kevin Norra, përgjegjës për aksidentin tragjik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!