Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka njoftuar se kryetari i saj, Ali Ahmeti, më 17 tetor, në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, ka vendosur të anulojë të gjitha aktivitetet partiake dhe do të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare në Tiranë, të thirrur nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protesta do të mbahet në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, duke filluar nga ora 17:00, me moton: “Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë në Hagë”.
“Ali Ahmeti, i cili ishte i pranishëm edhe në protestën e organizuar në Prishtinë, në cilësinë e bashkëthemeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka pranuar ftesën e organizatorëve për të qenë pjesë e kësaj proteste të madhe mbarëkombëtare,” thuhet në njoftimin e BDI-së.
“Për BDI-në dhe Kryetarin e saj, lufta e popullit shqiptar e prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e drejtë, e domosdoshme dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike, perëndimore dhe liridashëse. Paslufta dhe proceset e panumërta gjyqësore, vendore e ndërkombëtare, kanë dëshmuar qartë çiltërsinë e asaj lufte për liri, demokraci dhe pavarësi,” theksohet tutje.
BDI nënvizon se drejtësia për popullin shqiptar nuk mund të ndërtohet mbi procese politike të imponuara nga Rusia, as mbi “dëshmi” të fabrikuara nga Serbia. Kryetari Ali Ahmeti, si pjesë e pandarë e luftës për lirinë e kombit shqiptar, mbështet fuqishëm protestën dhe për këtë arsye ka anuluar të gjitha aktivitetet partiake zgjedhore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!