Sulmuesi i Liverpoolit, Alexander Isak, ka shënuar golin e tij të parë për klubin në fitoren 2-1 ndaj Southamptonit, në ndeshjen e vlefshme për raundin e tretë të Kupës së Ligës.
26-vjeçari nga Suedia realizoi në Anfield, duke ndihmuar skuadrën e tij të kalojë në fazën tjetër të kompeticionit.
Pas ndeshjes, Isak u shpreh entuziast për rikthimin në fushë dhe për golin e parë me fanellën e “The Reds”.
“E pabesueshme. Ishte fantastike të rikthehesha në fushë dhe të shënoja golin tim të parë në Anfield. Dhe për më tepër, të fitojmë. Kështu që, ishte një mbrëmje shumë e mirë”, ka thënë fillimisht Isak.
Sulmuesi pranoi se pati edhe një rast të mirë më herët në ndeshje, të cilin nuk e konkretizoi, por theksoi rëndësinë e vazhdimësisë dhe përqendrimit.
“Duhej të kisha shënuar edhe nga ai rasti i hershëm, por kjo është pjesë e të qenit sulmues, ndonjëherë humb disa raste, pastaj e gjen rrugën drejt rrjetës. Më e rëndësishmja është të ecësh përpara dhe të jesh gati për shansin tjetër”.
“Thjesht përpiqem të luaj lojën time dhe të mos mendoj shumë. Kam besim se rastet do të vijnë dhe, kur të vijnë, do t’i shfrytëzoj, ky është mentaliteti im. Jam i lumtur që sot e konkretizova njërin prej tyre”, ka thënë sulmuesi suedez.
I pyetur për gjendjen e tij fizike, Isak theksoi se ndihet mirë dhe se çdo minutë në fushë e ndihmon të rikthehet në formën optimale.
“Ndihem mirë. Çdo ndeshje që luaj më ndihmon dhe më fut gjithnjë e më shumë në ritëm. Po bëhem gjithnjë e më gati. A jam 100%? Vështirë të thuash. Është një përzierje mes përgatitjes fizike dhe asaj me ndeshje. Por ndihem gati për të dhënë kontributin tim në fushë”, përfundoi Isak.
Me këtë gol, Isak nis kapitullin e tij te Liverpooli me besim dhe ambicie. /Telegrafi/