Një praktikë shqetësuese dhe potencialisht e kundërligjshme po ndodh në Gjykata Themelore në Prizren, ku persona të ndaluar po mbahen në qendrat e ndalimit edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore, pa vendim të ri dhe pa bazë ligjore.
Këtë e ka ngritur publikisht avokati Besnik R. Berisha, i cili ka deklaruar se një praktikë e tillë është konstatuar personalisht nga ai gjatë ditës së djeshme dhe se përbën shkelje serioze të lirisë së njeriut.
Sipas tij, pas përfundimit të seancës para gjyqtarit të procedurës paraprake, në vend që të pritet vendimi në mënyrë ligjore, personat po rikthehen menjëherë në qendrat e ndalimit, pa vendim të shkruar dhe pa urdhër gjyqësor.
“Arsyetimi është se po pritet vendimi i gjykatës, por ky nuk është arsyetim juridik, është një justifikim administrativ për një shkelje serioze”, ka theksuar ai.
Berisha ka sqaruar se edhe pse neni 162 paragrafi 8 i Kodit të Procedurës Penale lejon mbajtjen në ndalim në pritje të vendimit, kjo nuk mund të bëhet automatikisht dhe pa një bazë konkrete juridike.
“Pa vendim të shkruar dhe pa mundësi ankese nuk ka ndalim. Çdo veprim ndryshe është privim i kundërligjshëm nga liria”, thuhet në reagimin e tij.
Ai ka ngritur shqetësim edhe për kushtet në qendrat e ndalimit, duke theksuar se në shumicën e qyteteve ato janë në gjendje të rëndë, me kushte skandaloze dhe larg çdo standardi minimal, çka e rëndon edhe më shumë situatën kur personat mbahen aty pa bazë ligjore.
Në fund, ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që ta ndalojnë menjëherë këtë praktikë dhe të respektojnë standardet ligjore, duke theksuar se liria nuk është çështje interpretimi, por vijë e kuqe që nuk guxon të cenohet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


