Presidenti i përkohshëm sirian, Ahmed al Sharaa, ka konfirmuar se janë duke vazhduar negociatat për një marrëveshje sigurie me Izraelin, i cili ka kryer disa sulme ndaj fqinjit të shkatërruar nga lufta që prej rrëzimit të ish-udhëheqësit Bashar al-Assad në dhjetor.
Izraeli dhe Siria, të cilat zyrtarisht janë në gjendje lufte që nga viti 1948, kishin nënshkruar në vitin 1974 një marrëveshje çarmatosjeje pas luftës së vitit 1973, që krijoi një zonë tampon në Lartësitë e Golanit nën mbikëqyrjen e OKB-së për të ndarë forcat izraelite dhe siriane.
“Pas rënies së regjimit, Izraeli është tërhequr nga marrëveshja e vitit 1974, megjithëse Siria që nga momenti i parë demonstroi angazhimin ndaj saj”, tha al-Sharaa në një intervistë televizive.
“Negociatat për një marrëveshje sigurie vazhdojnë, në mënyrë që Izraeli të kthehet në pozicionin që mbante para 8 dhjetorit”, shtoi ai, duke iu referuar ditës kur u rrëzua al-Assad.
“Negociatat nuk kanë përfunduar ende”, theksoi Al Sharaa.
Muajin e kaluar, Izraeli dhe Siria zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta në Paris, me ndërmjetësimin e SHBA-së.
Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli në vitin 1967 dhe të aneksuara në vitin 1981, mbeten një pikë qendrore mosmarrëveshjeje, pasi aneksimi nuk njihet ndërkombëtarisht.
Pas rrëzimit të al-Assad, Izraeli vendosi trupa shtesë në zonë dhe ka shtuar sulmet ajrore në Siri, duke deklaruar se synon të parandalojë që armët siriane të bien në duart e ekstremistëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!