E shtunë, 9 Gusht, 2025
spot_img
HomeLajmeAktgjykimi për Kuvendin përplas politikanët: Ish opozita e quan fitore, VV shpërthen...

Aktgjykimi për Kuvendin përplas politikanët: Ish opozita e quan fitore, VV shpërthen në sulme

‘Kryetari i Kuvendit të Kosovës duhet të zgjidhet me votim të hapur. Një kandidat mund të votohet deri në 3 herë. Për 30 ditë, duhet të përmbyllet procesi i konstituimit të Parlamentit. Të gjithë deputetët e zgjedhur duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë në këtë procedurë. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shkeli Kushtetutën. Seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik u shpallën të pavlefshme.’

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi të enjten për bllokadën në Parlament dhe sot e publikoi njoftimin lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive.

Ky institucion vendosi njëzëri për kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës si të pranueshme, pasi kjo parti kontestoi kërkesën për propozime për anëtarë të komisionit, hedhjen në votim, vetë votimin e komisionit; dhe, ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të komisionit.

Ndërkaq, LDK kërkoi sqarimin e normave kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive nga 29 qershori, pas aktgjykimit nga gjykata më e lartë e vendit.

ÇKA VENDOSI GJYKATA?

Më 7 gusht 2025, konstatoi njëzëri që “deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme”.

Kushtetuesja konstatoi njëzëri po ashtu se “Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Me 6 vota për dhe një kundër, gjykata URDHËROI kryesuesin Dehari që të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës të seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025 dhe të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar, Vetëvendosjen për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar, “i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Të gjithë deputetët e zgjedhur janë URDHËRUAR që gjatë procedurës të zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë.

Urdhër i qartë nga gjykata, i vendosur gjithashtu me 6 vota për dhe një kundër është që deputetët të zgjedhin kryesinë sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës brenda 30 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi.

Në njoftimin e lëshuar, Kushtetuesja tha se masa e përkohshme mbetet në fuqi derisa palët të pranojnë aktgjykimin dhe i njëjti të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Ky vendim u mirëprit nga PDK, LDK dhe AKK, ndërsa u kritikua nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e sulmuar institucionin, për gjoja “arbitraritet klientelist”.

Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ky vendim i vërtetoi qëndrimet e partisë së tij se VV-ja e ka mbajtur peng Parlamentin, duke e bllokuar me qëllim dhe në mënyrë të planifikuar konstituimin, për siç tha ai, interesa të ngushta pushteti.

“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tonë. Për gjashtë muaj, qytetarëve iu mohua përfaqësimi, institucioneve iu ndal funksioni, e vendit iu imponua stagnimi.”

Ai e quajti këtë vendim si fitore për rendin kushtetues, ashtu siç tha edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se aktgjykimi është fitore e madhe për demokracinë.

“Votimi i fshehtë nuk pranohet. Jo kushtetues i konstatuar! Urdhëroheni të mundësoni demokracinë në Republikën e lirë të Kosovës. Fatkeqësisht, Kosova humbi kohë. Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë – gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saj si mburrje.” – shkroi Abdixhiku.

Ndërsa Hekuran Murati nga VV, të cilëve nuk u konvenoi ky aktgjykim, tha se vendimet që dalin nga kjo gjykatë “nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje.”

“Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë. E provuan më 2020, kur thanë se populli nuk vendos se kush e udhëheq qeverinë, dhe populli ua dha përgjigjen më 14 shkurt 2021.” /Klankosova.tv

The post Aktgjykimi për Kuvendin përplas politikanët: Ish opozita e quan fitore, VV shpërthen në sulme appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT