Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Përgjithshme, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-zyrtarëve policorë Nezir Gashi, Shkëlqim Aliu dhe Enis Elezaj, për kryerjen në bashkëkryerje të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të tre të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policorë nga Njësia reaguese e Stacionit Policor të Klinës, gjatë një intervenimi në shtëpinë e të dëmtuarit D.K., kanë keqpërdorur autorizimet dhe kanë keqtrajtuar fizikisht të dëmtuarin. Gjatë tentimit për ta prangosur, Shkëlqim Aliu dhe Enis Elezaj e kanë mbajtur nga krahët të dëmtuarin, ndërsa Nezir Gashi e ka goditur atë disa herë me shuplaka në kokë dhe me grushte në pjesën e barkut, duke cenuar dinjitetin e tij, transmeton Klankosova.tv.
Përveç kësaj, Nezir Gashi akuzohet për lëndim të lehtë trupor, pasi goditjet i kanë shkaktuar dëmtimit plagë të lehta të konstatuara në aktin ekspertim mjeko-ligjor.
Po ashtu, të tre të pandehurit akuzohen për kallëzim të rremë, pasi më 28 qershor 2025, në Stacionin Policor në Klinë, kanë bërë lajmërim të rrejshëm duke pretenduar se i dëmtuari D.K. kishte kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Prokurori ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale dhe ka propozuar dënim plotësues me “Ndalimin e ushtrimit të funksioneve në vende publike ose shërbime publike”.
The post Aktakuzë ndaj tre policëve për keqtrajtimin e qytetarit në Klinë appeared first on Klan Kosova.