Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër B.K, për shkak të veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.K, me 11 korrik të vitit 2025, në garazhin e shtëpisë, pa autorizim e me qëllim të shitjes ka poseduar substanca narkotike të llojit “Marihuanë”, në peshë bruto prej 959.3 gram, në atë mënyrë që ditën kritike Policia e Kosovës gjatë punës operative në teren, kanë pranuar informatë se i pandehuri B.K në shtëpinë e tij ka në posedim një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuana, transmeton Klankosova.tv.
Me këtë rast Policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpi dhe në objektet përcjellëse, pikërisht në garazhet e të pandehurit është gjetur dhe sekuestruar drogë e lartcekur.
I pandehuri,B.K, po ashtu sipas njoftimit të Prokurorisë, akuzohet se me datë 11 korrik 2025, gjatë kontrollit nga Policia e Kosovës në shtëpinë e tij, i është gjetur edhe një armë zjarri e llojit “Zoraki”, një karikator dhe dy fishekë pa leje përkatëse dhe në posedim të paautorizuar.
“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihet në barrë”.
The post Aktakuzë ndaj një personi në Pejë, i gjendet 1 kilogramë drogë në garazhin e shtëpisë appeared first on Klan Kosova.