Aktakuzë ndaj katër personave për trafikim me njerëz, shfrytëzim seksual dhe grabitje

Aktakuzë ndaj katër personave për trafikim me njerëz, shfrytëzim seksual dhe grabitje

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj katër personave: F.C., B.B., L.J. dhe E.L., për disa vepra penale.

F.C. dhe B.B. akuzohen se kanë kryer veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, në lidhje me veprën penale “Trafikim me njerëz”.

Gjithashtu, B.B. akuzohet edhe për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Facebook.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F.C. dhe B.B. akuzohen se nga viti 2019 deri më 29 korrik 2024, duke vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, së bashku me persona të tjerë, me dashje dhe me qëllim përfitimi financiar, kanë organizuar, rekrutuar, transportuar, transferuar dhe strehuar gra dhe vajza nga Amerika Latine dhe shtete të tjera në Republikën e Kosovës.

Tutje në aktakuzë thuhet se përmes kanosjes, përdorimit të forcës apo formave të tjera të shtrëngimit, viktimat janë detyruar të ofrojnë shërbime seksuale me pagesë.

Ndërsa, të pandehurit L.J. dhe E.L. akuzohen për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Grabitja”.

Sipas aktakuzës, L.J. dhe E.L më 29 korrik 2024, me qëllim të shfrytëzimit të shërbimeve seksuale me pagesë, përmes përdorimit të forcës dhe kanosjes, i kanë sulmuar viktimat e trafikimit dhe u kanë përvetësuar një shumë të parave në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë, dhe ndaj tyre të shqiptohen dënime konform ligjeve në fuqi.

 

 

 

 

The post Aktakuzë ndaj katër personave për trafikim me njerëz, shfrytëzim seksual dhe grabitje appeared first on Klan Kosova.